NGULITJET E LASHTA TË DARDANËVE TË MIRËFILLTË DUHEN KËRKUAR NË AFËRSI TË PELLGUT TË SHKUPIT

Përpjekjet për të ngushtuar territorin e banuar nga ilirët i takojnë këtyre viteve të fundit, ato bëhen nga disa studiues jugosllavë, të cilët pa qenë nevoja çështjen ilire dhe etnogjenezën e shqiptarëve po ë politizojnë dhe në mënyrë të sforcuar kërkojnë të «përmbysin» realitetin historik të ilirëve në përgjithësi dhe në veçanti në lidhje me njërin nga fiset e rëndësishme ilire dardanët. Ky fis pak i njohur i Ballkanit qendror për pozitën e tij gjeografike dhe për luftërat e vazhdueshme kundër shtetit maqedon ka tërhequr edhe më parë vëmëndjen e studiuesve, veçanërisht në lidhje me përkatësinë etnike të tij.

Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se pjesa më e madhe e studiuesve, duke u mbështetur te burimet e shkruara antike, onomastika e toponomastika dhe te të dhënat arkeologjike kanë provuar e pranuar etnicitetin ilir të dardanëve, madje këtë e kanë bërë që herët edhe një tok studiues jugosllavë, midis tyre edhe M. Garashanin, i cili sot është bërë kundërshtari kryesor i origjinës ilire të tyre. Nuk është vendi këtu të radhisim gjithçka që është thënë për këtë çështje. Midis përkrahësve të tezës që i konsideron dardanët ilirë po përmendim disa prej tyre. Së pari historianin gjerman Rydiger Mak, për të cilin «dardanët e mirëfilltë, ngulitjet e lashta të të cilëve duhen kërkuar në afërsi imediate të pellgut të Shkupit, janë sikurse edhe fiset e tjera të kësaj treve, ilirë, sikurse i kishte quajtur edhe Straboni (VII, 313, 315)».
_________________
Autori: Anamali Skënder
Titulli: “Ilirët dhe shqiptarët”, Iliria, vol. 20 n°1, 1990. f. 5-26.

Foto: Fibula me mitin trojan “Leda dhe Mjelma”; shek. 3 p.e.s, gjetur në Ulpianën antike, Dardani, Kosovë.

Silver fibula depicting famous mythological scene of trojan myth “Leda and the Swan”, 3rd century AD, excavated in Ulpiana, today Kosovo important Roman and Byzantine archaeological site in ancient Dardania./njekomb.com/