Historia E Tmerrshme E Dëbimit Të 830 Mijë Shqiptarëve Dhe Spastrimit Etnik Të Rreth Një Mijë Fshatrave Me 1878/1879

Related image

Shkrimtari dhe përkthyesi nga Suedia, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe nënkryetar i saj, Hamit Gurguri, nga gjuha serbe në gjuhën shqipe ka përkthyer librin e autorit serb Dimitrije Mita Petroviq me titullin në origjinal “Borbe u Toplici 1877 – 1878” (shqip: Luftimet në Toplicë 1877 – 1878”).

Ky libër, i lënë në dorëshkrim, pra i pabotuar, dhe i botuar në vitin 1979 nga Arkivi i Serbisë, është interesant për secilin lexues, sepse në te autori në formë të një ditari të luftës paraqet momente e ngjarje të ndryshme e të shumta nga spastrimi etnik i trojeve të pastra shqiptare nga sot Serbia e Mesme dhe Jugore, veçanërisht nga krahina e Toplicës, pra, të pohuara nga një kronist serb – Dimitrije Mita Petroviq. Për këto ngjarje janë publikuar shumë e shumë studime nga historianët shqiptarë, turq, serbë e të tjerë dhe kështu janë ndriçuar të vërtetat historike.

Sipas disa të dhënave arkivale serbe thuhet mes të tjerash se gjatë luftërave serbo-turke të viteve 1877-1878, ushtria serbe, duke zbatuar urdhërin e shtabit të përgjithshëm dhe qeverisë serbe, i shpërnguli me forcë nga Toplica, Leskovci, Nishi, Vranja më tepër se 300.000 shqiptarë. Por, e vërteta është se prej kësaj krahine shqiptare me dhunë ushtarako-policore mbretëria serbe e Obrenoviqve dëboi rreth 830 000 shqiptarë etnikë. Kjo u realizua duke bërë një gjenocid dhe spastrim etnik total, kur janë vrarë e masakruar reth 70 000 shqiptarë, të cilët banonin në afro 700 fshatra e qytete shqiptare vetëm në Krahinën e Toplicës.

Në këtë kohë janë zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Kosanicës, Pirotit, Quprisë, Pllanës, Krushevcit, Nishit, Leskovcit, Surdulicës, Vranjës, Përokupjes, Kurshumlisë, etj. Popullsia e shpërngulur shqiptare e cila arriti që t´i shpëtojë gjenocidit serb u vendos në jug të trojeve shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Këta shqiptarë sot e asaj dite janë të njohur dhe të quajtur muhaxhirë (refugjatë). Madje, shumë prej tyre sot e asaj dite si mbiemër e mbajnë emrin e fshatit ose trevës prej nga janë dëbuar. Kronisti serb Dimitrije Mita Petroviq ishte edhe vetë pjesëtar i ngjarjeve të sipërme.

Ai në këtë libër të lënë në dorëshkrim jep lloj-lloj skenash e detajesh për gjenocidin dhe zullumin e ushtuar ushtarakisht mbi burra, gra e fëmijë të arnautëve, siç i quan ai shqiptarët, vuajtjet arnautëve për shkak të gjenocidit të ushtruar mbi ta, vjell vrerë e urrejtje ndaj tyre, tregon për djegiet e shtëpive të arnautëve, për uzurpimin dhe plaçkitjet e pasurive të tyre, vrasjet, spastrimet etnike, prerje kokash, erkzekutime, uri, etj. Por, njëkohësisht pohon edhe për rezistencën e organizuar dhe individuale si dhe për shpirtin luftarak të arnautëve, trimërinë e tyre të treguar në fushat e betejave. Pra, në këtë libër rrëfehet edhe për rezistencën e fortë e arnautëve me shumë sakrifica, flijime dhe heroizma. Në vazhdim do t´i japim disa refrene të zgjedhura nga ky libër, të përkthyera nga Hamit Gurguri, ashtu si i ka shkruar ai vetë, pa asnjë intervenim redaktorial apo lektorim gjuhësor. Përkthyesi Hamit Gurguri në fillim të librit i jep disa sqarime në formë të Parathënies. Fjalët e tij janë:

Parathënje

Autori Dimitrije Mita Petroviqi ishte vetë pjesëmarrës i luftimeve në Javor gjatë vitit 1876. Libri i parë bënte fjalë për përgaditjet luftarake sërbe atë vit. Libri i tij i parë u botua nga Muzeu në Çaçak në vitin 1955, ku bënin pjesë edhe 37 skica, vizatime, fotografi, portrete dhe plane të cilat u zhdukën. Ky është libri i tij i dytë për luftimet nëpër Toplicë gjatë viteve 1877 e 1878. Në këtë kronikë luftarake D. Petroviqi iu kushton kujdes të veçantë tri ngjarjeve:

1.Kur ushtria sërbe e kaloi kufirin e hyri në Prokuple.

2.Luftime për marrjën (e quan çlirim) e Kushumlisë dhe

3.Beteja për Samakovë.

Shenimet e Petroviqit japin një pasqyrë për armatosjën e ushtrisë sërbe, për organizimin e funksionimin e logjistikës. Vëzhgimit të tij nuk i shpëton as pamja e ushtrisë turke, të cilën e paraqet si ushtri të disciplinuar, të organizuar mirë, të armatosur mirë, të pajisur me veshëmbathje e të motivuar deri në fanatizëm. Ushtari turk i la përshtypje këtij kronisti.

Në shënimet luftarake shpesh i hasim edhe kundërshtarët e ushtrisë sërbe, arnautët, siç i quan ku autor dhe shton se: “Pasi Turqia u detyrua të luftonte në një front të gjërë, nga Plemja e Vogël deri në Velebit, për luftë në Toplicë i mobilizoi forcat lokale nga viset e afërme. Duke shfrytëzuar antagoni-zmat kombëtare, Turqia arriti t’i mobilizoi edhe arnautët, duke përhapur lajme për rrezikun vdekjeprues që u vinte nga sërbët, por u jepte dhurata e premtime parisë së tyre. Në ato kushte Hafiz Pasha mblodhi ordinë me të cilën erdhi në Toplicë.

Ishin të kota përpjekjet e komandës sërbe t’i tërhiqte apo t’i përfitoi arnautët në anën tonë, apo bile t’i neutralizonte!”

Shenimet, të cilat i ruajti autori, ua la amanet fëmijëve. Kështu e bija e tij, Lubica Llukoviqi – e lindur Petroviqi, në vitin 1977, e vetmja trashëguese e gjallë, atë vit 92 vjeqare ia dhuroi të gjitha shenimet e të jatit Arkivit të Sërbisë, me kusht që ato të botohëshin, gjë që ajo nuk e priti.

Vlerë të posaçme e këtyre shenimeve luftarake iu jep një përshkrim i detaleve të cilat mund t’i ofrojë vetëm vrojtuesi i drejtpërdrejtë i ngjajreve. Ato detale e epizoda, të cilat edhe mungojnë në shkrimet e historianëve, bile edhe në veprat e strategëve dhe të analistëve, sado subjektive na ofrojnë pamjën më reale të ngjarjeve në vorbullin e luftës që pamëshirshëm korrë jetëra e koka njerëzish, jo vetëm të shprehur në numër, por të ditura, të njohura dhe të afërme.

Dimitrije Mita Petroviqi deshi që të gjitha ngjarjet që ai i pa, t’ua lë pasardhësve në kujtesë të mos harroheshin. Ajo anë e përshkrimeve përbën bërthamën dhe vlerën e kësaj kronike.

Ky libër është një ndër shenimet e pakëta, të cilat flasin për spastrimin etnik të Krahinës së Toplicës, të Nishit dhe të Pirotit nga banorët shqiptarë, numri i saktë i të vrarëve dhe të shpërngulurve nuk u përcaktua as nuk u vërtetua kurrë.

Shpërngulje, shpronësim e shfarosje ishte moto e luftës për Toplicë, e cila për ironi ende sot në historinë sërbe e quajnë luftë çlirimtare, ani se ishte zaptuese dhe me pasoja shumë tragjike për disa breza muhaxhirësh shqiptarë të këtyre viseve, pasardhës i të cilëve është edhe përkthyesi i këtij libri.

Disa Fragmente nga libri Borbe u Toplici 1877–1878 (shqip: Luftimet në Toplicë 1877-1878).

/gazetashqiptari.com/