Qytetari nga Podujeva nis iniciativën për ta paditur Serbinë në Strasburg, lidhur me helmimet e vitit 1990

Ishte 20 marsi i vitit 1990, kur në qytetin e Podujevës Serbia hodhi helme toksike në shkollat e këtij qyteti, nga të cilat u helmuan qindra nxënës dhe profesorë, por edhe qytetarë të tjerë.

Më 20 mars bëhen 29 vite që nga ajo kohë, kur nxënës dhe banorë të Podujevës pësuan nga ky sulm me helme toksike. Pavarësisht kësaj ende nuk është bërë asgjë që Serbia të jap llogari për atë që kishte bërë.

Lidhur me këtë, Nazmi Bajra nga Podujeva, i cili atë kohë kishte qenë njëri nga të helmuarit ka marrë një iniciativë që ta padisë Serbinë në Gjykatën e Strasburgut në Francë.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se këtë iniciativë e ka nisur që nga vitit i kaluar.

“Unë këtë iniciativë e kam filluar me 24 maj 2018. Arsyeja që kam bërë këtë është se çështja e helmimi u harrua dhe nuk është marrë askush. Kur u helmova unë me 20 mars 1990 isha duke punuar në shkollë dhe kur më dërguan tek mjeku, ai më caktoi diagnozën neuro-toksike. Atë kohë bashkë me mua ka qenë të helmuar edhe profesori Idriz Gashi, pastaj Florije Podvorica. Po ashtu ka edhe të tjerë për të cilët kam mbledhur dokumente dhe kam kontaktuar me ta e më kanë thënë që edhe pse janë martuar nuk kanë fëmijë akoma si pasojë e helmimit”, është shprehur ai.

Bajra ka thënë se ka filluar që të mbledh materiale në mënyrë që ta përgatisë lëndën dhe pastaj të iniciojë edhe një peticion në nivel vendi.

“Unë do ta bëjë edhe një peticion për këtë. E kam plan që t’ia shtroj një kërkesë ndonjë institucioni që të na ndihmojë, sepse duhet ndihmë e madhe, ka shpenzime të mëdha, më duhet të dal edhe në teren sepse e kam dokumentin zyrtar nga policia që kam të drejtën të mbledh materiale. Duhet të udhëtoj nëpër të gjitha shkollat e Podujevës, dhe në qytete ku ka pasur helm, duhet të marr shënime. Po shpresoj që ndoshta do të na përkrahin. Unë do t’i informoj përmes mjeteve të informimit të gjithë ata që kanë qenë të helmuar, që të organizohen dhe së bashku t’i bëjmë veprimet tona për peticion, që ta dërgojmë në Qeveri dhe Parlament, në mënyrë që ata ta ngritin këtë çështje në dialog me Serbinë”, theksoi ai, duke shtuar se fletë-lëshimet nga spitali për ata persona që kanë qenë të helmuar mund t’i gjejnë në arkivin qendror në klinikën e syve./njekomb.com/