TRENAT ILEGALË VAZHDOJNË OPERIMIN NË VERI

Edhe pse që nga janari i vitit 2017 Autoriteti i Hekurudhave ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të trenave ilegalë në veri, vetëm një është ndaluar ndërsa dy të tjerë janë duke vazhduar të veprojnë ilegalisht në atë pjesë.

Këtë e ka bërë të ditur Shkumbin Hyseni nga Bordi i Autoritetit të Hekurudhave gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të këtij institucioni nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik.

Ai ka thënë se ndalimi i këtyre trenave ilegalë do të duhej të bëhej nga autoritet tjera dhe se nuk e di pse s’ka ndodhur kjo, raporton Koha Ditore.

Hyseni ka folur edhe për numrin e aksidenteve hekurudhore që kanë ndodhur gjatë 2018, duke treguar se ka pasur 19 aksidente ndërsa tre persona kanë humbur jetën nga këto aksidente.

I pyetur nga deputetët se a ka ndodh kjo për shkak të vendkalimeve ilegale, ai ka thënë se shumica e tyre ka ndodhur në vendkalimet legale të cilat janë në numër të madh diku rreth 260 vendkalime.

Sa i përket vendkalimeve ilegale ai ka thënë se janë diku 32 të tilla, por që kanë probleme në mbylljen e tyre pasi, siç ka thënë, ato pas mbylljes hapen sërish.

Me 5 vota për dhe një abstenim, Komisioni ka miratuar këtë raport.