Perandoret Bizantin me prejardhje Ilire dhe Krishterizimi i Kosoves dhe Shqiprise…

Një veçanti e organizimit kishtar në provincat e Ilirisë jugore dhe në Dardaninë e kësaj periudhe ka qenë përfshirja e vazhdueshme në luftën kundër herezive kishtare…

Iliria e shekujve të parë pas erës sonë rezulton më tepër si tokë e përndjekjeve të të krishterëve dhe dokumentet e sigurta për një organizim të mirëfilltë kishtar nisin me epokën kostantiniane, me peshkopin e Dardanisë, Dacius dhe të Stobit, Budio, që morën pjesë ne koncilin e Nikesë të vitit 325 te erës sonë dhe me një listë të plotë në në atë të Serdikës më 343, ku firmosin peshkopi Macedonius i Ulpianës, Senecion i Skodron, Eucharios i Dyrrahut, Felix i Apollonisë, Eulalus i Amanties, Dynatos i Nikopolit, Theodoros i Dodonës. Por duhet të presim letrat e papës Inocentius I të vitit 412 për tu bindur për egzistencën e një rrjeti të plotë të peshkopatave të Epirit të Ri, Epirit të Vjetër, Prevalit, Dardanisë, etj., në kuadrin e sistemit administrativ të krijuar nga perandori Teodos më 395

Duket një paradoks që në asnjë nga trevat e Shqipërisë që gjenden në territorin e dikurshëm të këtyre provincave nuk është dëshmuar ndonjë ndërtim monumental me funksionet e një kishe, i cili ti takojë kësaj periudhe. Bazilikat paleokristiane të zbuluara deri tani janë datuara të gjitha pas mesit të shek. V, me një përqendrim të ndjeshëm të tyre në periudhën e Justinianit.

Kjo ka qenë koha kur u shfaqën edhe simbolet e qarta fetare kristiane. Baptisteret tipike i takojnë të gjitha kësaj periudhe dhe të tërheq vëmendjen prezenca e tyre në të gjitha bazilikat, si dhe përmasat e mëdha , një dëshmi e qartë se ato ishin ndërtuar për një pagëzim në shkallë të gjerë të një popullsie që kishte mbetur në shumicë pagane.

Gjithashtu nuk janë evidentuar deri më tani objekte, apo simbole që lidhen me kultin kristian të një periudhe më të hershme se shek. V, ashtu siç mungojnë edhe mbishkrime latine, apo bizantine me karakter të qartë krishter para kësaj kohe.

Edhe përdorimi i toponimisë kishtare është një fenomen relativisht i vonë dhe për provincat e territorit shqiptar shfaqet me shembujt e rrallë të kështjellës së Shën Sabianit dhe Shën Stefanit në Epirin e Ri, një Shën Sabian tjetër dhe Shën Donati në Epirin e Vjetër.

Kjo dëshmon qartë se kanë qenë perandorët bizantinë me origjinë ilire, Anastasi (491-498), Justini (498-527) dhe veçanërisht Justiniani, që realizuan krishterizimin e përgjithshëm të qytetarëve të perandorisë së tyre. Territori i Shqipërisë dhe i Kosovës është i mbuluar nga një rrjet kishash paleokristiane, që gjenden edhe në fshatrat e tërhequra malore.

 

Kjo ishte edhe koha e krijimit të manastireve të krishterë, që do të bëheshin gjatë mesjetës krijues të një mënyre të re prodhimi, si dhe memoria e ruajtjes së trashëgimisë humaniste të antikitetit.

Një veçanti e organizimit kishtar në provincat e Ilirisë jugore dhe në Dardaninë e kësaj periudhe ka qenë përfshirja e vazhdueshme në luftën kundër herezive kishtare, si dhe në dualizmin kishtar midis Konstantinopolit dhe Romës, duke mbajtur përgjithësisht lidhje më të ngushta me papën e Romës.

Marrë nga Gjurmë Historike